Dy viktima nga shpërthimi i ciklosporiazës në SHBA, mbi 11 mijë raste infektimi

Dy persona në Michigan kanë humbur jetën pas shpërthimit të ciklosporiazës, duke shënuar kështu viktimat e para të njohura të kësaj epidemie që ka prekur disa shtete të SHBA-së.
Lajmi u konfirmua nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të Michiganit, i cili bëri të ditur se të dy personat kishin probleme të rënda shëndetësore, të cilat mund të jenë përkeqësuar nga infeksioni me ciklosporiazë dhe dehidratimi. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera për rastet.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë, humbjet e jetëve nga ciklosporiaza janë të rralla, pasi kjo sëmundje zakonisht nuk konsiderohet kërcënuese për jetën. Megjithatë, deri më tani në Michigan janë raportuar 11.234 raste të infektimit, ndërsa 193 persona kanë përfunduar në spital.
Edhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan se janë në dijeni të dy vdekjeve të lidhura me ciklosporiazën te persona me probleme shëndetësore, si pjesë e këtij shpërthimi.
Ciklosporiaza shkaktohet nga një parazit mikroskopik që mund të kontaminojë ushqimin ose ujin. Infeksioni shfaqet kryesisht me diarre të rëndë dhe, nëse nuk trajtohet, simptomat mund të zgjasin një muaj ose më shumë. Diarreja e vazhdueshme rrit rrezikun e dehidratimit, i cili mund të çojë në komplikacione serioze, veçanërisht te personat me sëmundje shoqëruese.
Sipas CDC-së, rastet e ciklosporiazës zakonisht shtohen gjatë muajve të pranverës dhe verës, nga fillimi i majit deri në fund të gushtit. Megjithatë, autoritetet theksojnë se këtë vit numri i rasteve është dukshëm më i lartë se në sezonet e mëparshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




