Dyshohet se kryenin veprimtari kundër shtetit shqiptar, Ministria e Brendshme shpall non grata 2 shqiptarë nga RMV

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ministria e Brendshme ka shpallur persona të padëshiruar (“non grata”) dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, Valon Belja (i njohur edhe si Valjon Bela) dhe Bekir Halimi, duke u ndaluar hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë 10-vjeçare.

Sipas informacioneve paraprake të siguruara nga gazetarja e RTSH-së, Flutura Tota, dy shtetasit dyshohet se kanë kryer veprimtari në dëm të shtetit shqiptar.

Burimet bëjnë me dije se, përveç ndalimit të hyrjes, ndaj Valon Belës është lëshuar edhe urdhër dëbimi nga territori i Shqipërisë, ose ai është larguar me vendim administrativ.

Vendimi i Ministrisë së Brendshme mbështetet në nenin 104, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” të Ligjit “Për të Huajt”. Sipas këtij neni, ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike mund të shpallë një të huaj person të padëshiruar kur, për interesa të rëndësishme të shtetit, të rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe rendit publik, konstatohet se ai:

  • vepron ose propagandon kundër sovranitetit të Republikës së Shqipërisë, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit e sigurisë publike; ose
  • është anëtar i organizatave terroriste apo përkrah dhe kryen veprime anarkiste kundër shtetit ligjor.

Ligji parashikon se një i huaj mund të shpallet “person i padëshiruar” për një periudhë jo më të shkurtër se pesë vjet, gjatë së cilës i refuzohet hyrja ose qëndrimi në Republikën e Shqipërisë. Në rastin e Beljes dhe Halimit, masa është caktuar për 10 vjet.

Deri tani, Ministria e Brendshme nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi veprimtarinë konkrete që ka çuar në marrjen e këtij vendimi.

Në foto: Valon Belja dhe Bekir Halimi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme