Irani dhe Omani vazhdojnë mosmarrëveshjet mbi rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Irani dhe Omani vazhdojnë të kenë mospajtime lidhur me mekanizmin e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, ndërkohë që diplomatët iranianë theksojnë se nuk po zhvillojnë negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, por se diplomacia vazhdon të funksionojë.
Gjatë ditëve të fundit, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka mbajtur biseda telefonike me homologët e tij rajonalë si dhe me zyrtarë pakistanezë që po ndërmjetësojnë bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit.
Megjithatë, mbeten ende shumë pika konflikti.
Irani konfirmon se është i angazhuar në bisedime me Omanin që fokusohen në një çështje të vetme: mekanizmin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Edhe këtu ekzistojnë mospajtime. Sipas anës iraniane, Teherani nuk pranon propozimet për krijimin e disa korridoreve – një në veri dhe një tjetër në jug të ngushticës.
Zyrtarët iranianë kanë theksuar disa herë se situata në Ngushticën e Hormuzit nuk do të kthehet në gjendjen e mëparshme para fillimit të konfliktit. Operacionet e pastrimit të minave dhe vendosja e tarifave për shërbimet detare mbeten gjithashtu pika të rëndësishme mosmarrëveshjesh.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




