Operacion mjedisor në Cërrik, zbulohët gërryerja e paligjshme e shtratit të lumit Devoll, 3 të arrestuar dhe 1 në kërkim

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kanë goditur një rast të veprimtarive të kundërligjshme kundër mjedisit në lumin Devoll, i cili kishte sjellë si pasojë devijimin e rrjedhës së ujit dhe rrezikimin e tokave bujqësore në fshatin Gostimë. Operacioni u ndërmor pas administrimit të shqetësimeve të qytetarëve dhe verifikimeve në terren lidhur me subjektet që cenojnë regjimin juridik të tokës.
Arrestimet dhe hetimet e policisë
Në kuadër të këtij aksioni, policia arrestoi në flagrancë shtetasit L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç (shtetas indian), si dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës. Ndërkohë, është shpallur në kërkim 22-vjeçari me iniciale K. H., i cili figuron si administrator i subjektit privat.
“Nga veprimet hetimore rezultoi se për llogari të subjektit që administronte 22-vjeçari dhe kishte të punësuar shtetasit L. X. dhe L. B., gërryhej me mjete të rënda shtrati i lumit Devoll, veprimtari nga e cila ishte devijuar rrjedha e lumit dhe rrezikohej përmbytja e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.”, njofton policia.
Hetimet zbuluan gjithashtu se firma private e ushtronte këtë veprimtari jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen përkatëse.
Sekuestrimet dhe masat administrative
Gjatë operacionit, forcat e rendit sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjetet e përdorura për dëmtimin e mjedisit: 1 ekskavator i përdorur për gërryerjen e shtratit të lumit; 1 kamion teknologjik i angazhuar në transportin e materialit inert.
Përveç procedimit penal, ndaj subjektit u vendosën edhe masa administrative nga struktura kompetente të IKMT Tiranë dhe IMT Cërrik.
Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme doli se shtetasi i arrestuar B. T., 46 vjeç (i afërm i administratorit 22-vjeçar), kishte kryer ndërtim pa leje në afërsi të zonës ku ushtronte aktivitetin subjekti. Puna për kapjen e 22-vjeçarit vazhdon me intensitet, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





