SHBA, Clayton merr drejtimin e inteligjencës, drejtori i ri premton forcimin e sigurisë dhe pavarësinë e agjencive
Kryeprokurori i mëparshëm dhe ish-kreu i Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë, Jay Clayton, është betuar si drejtori i nëntë i Inteligjencës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, pasi mori miratimin e Senatit javën e kaluar. Me marrjen e detyrës, ai do të drejtojë dhe koordinojë punën e 18 agjencive të inteligjencës, ndërsa do të jetë edhe këshilltari kryesor i presidentit për çështjet e sigurisë kombëtare.
Pas ceremonisë së betimit, Clayton falënderoi presidentin Donald Trump për besimin e dhënë dhe theksoi se forcimi i kapaciteteve të inteligjencës do të jetë objektivi i tij kryesor. Siç u shpreh edhe vetë, “Inteligjenca është linja jonë e parë e mbrojtjes dhe ne duhet ta bëjmë atë siç duhet”. Drejtori i ri kujtoi se Zyra e Inteligjencës Kombëtare u krijua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit për të shmangur dështime të ngjashme në të ardhmen.
Sipas tij, kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara mbeten të pranishme dhe kërkojnë një bashkëpunim të fortë mes të gjitha strukturave të inteligjencës. Clayton nënvizoi se mbrojtja e qytetarëve amerikanë do të jetë udhërrëfyesi i punës së tij, ndërsa premtoi më shumë transparencë, mbikëqyrje dhe përgjegjshmëri. Ai shtoi se agjencitë e inteligjencës duhet të qëndrojnë të përqendruara vetëm te misioni i tyre dhe të mos përdoren për qëllime politike.
Emërimi i tij vjen në një moment të rëndësishëm për sigurinë kombëtare amerikane dhe synon të forcojë bashkërendimin mes institucioneve. Clayton zëvendëson në këtë detyrë Tulsi Gabbard, e cila dha dorëheqjen në qershor për arsye familjare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




