Netanyahu: Forcat izraelite nuk do të tërhiqen nga linjat aktuale në Gaza derisa Hamasi të çarmatoset

Botë | 3 muaj më parë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të martën se trupat izraelite nuk do të tërhiqen nga pozicionet e tyre aktuale në Rripin e Gazës derisa grupi militant Hamas të jetë çarmatosur plotësisht.

Sipas Netanyahut, “forcat izraelite nuk po tërhiqen nga linjat aktuale në Gaza derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht”.

Ai theksoi se forcat do të vazhdojnë “të bëjnë çdo gjë të nevojshme për të mbrojtur veten, territorin tonë dhe qytetarët tanë”.

Kryeministri izraelit sugjeroi se ka dallime me administratën e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me një draft ose plan të fundit për çarmatimin e Hamasit.

“Trump dhe ekipi i tij mendojnë se Hamasi mund të çarmatoset plotësisht dhe Gaza të demilitarizohet – ne po e shqyrtojmë këtë,” tha ai.

Netanyahu shtoi se administrata Trump “na dërgoi një draft. Ne nuk u pajtuam. Nuk është drafti ynë. Ne dërguam komentet tona”.

Sipas tij, këto përgjigje ishin dërguar përpara se çështja të merrej nga mediat. Ai përfundoi duke theksuar: “Kjo është pozicioni ynë. Ne qëndrojmë të vendosur mbi interesat tona, besoj me mençuri dhe me vendosmëri.”

Deklarata e Netanyahut vjen në kuadër të një plani të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bordi i Paqes një organ i krijuar nën planin e Trump për Gazën.

Ky plan parashikonte që Hamasi të niste çarmatimin, ndërsa Izraeli të ndalonte goditjet dhe të fillonte tërheqjen graduale të forcave nga zona që kontrollon aktualisht (e njohur edhe si linja e verdhë ose Yelloë Line, që mbulon një pjesë të konsiderueshme të territorit).

Marrëveshja bazohet në një armëpushim të arritur në tetor që i dha fund operacioneve të mëdha ushtarake, por që ka ngecur në aspekte të tjera, veçanërisht në çarmatimin e plotë të Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës.

Izraeli ka kërkuar vazhdimisht që çarmatimi i plotë – duke përfshirë dorëzimin e armëve të lehta dhe të rënda, si dhe shkatërrimin e tuneleve – të ndodhë para çdo tërheqjeje të rëndësishme. Nga ana tjetër, Hamasi ka kërkuar ndalimin e operacioneve ushtarake izraelite si kusht përparimi.

Ditët e fundit, përfaqësues të Bordit të Paqes, përfshirë të dërguarin e lartë Nickolay Mladenov, kanë takuar Netanyahu për të diskutuar rrugën e zbatimit të propozimeve.

Izraeli ka përsëritur se nuk do të pranojë asnjë plan që lejon Hamasin të mbajë aftësi ushtarake.

Situata në terren mbetet e tensionuar. Forcat izraelite vazhdojnë të kontrollojnë pjesë të mëdha të Gazës dhe të kryejnë operacione kundër kërcënimeve, ndërsa procesi i çarmatimit dhe ristrukturimit të administrimit të enklavës mbeten të bllokuara.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme