Irani dhe Omani afër një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Irani dhe shteti arab i Gjirit, Omani kanë bërë përparim drejt një marrëveshjeje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
“Ky zhvillim mund të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe mbylljen e konfliktit në Lindjen e Mesme”, thonë zyrtarë rajonalë.
Sipas marrëveshjes, anijet do të hynin në Gjirin Persik përmes një rruge të kontrolluar nga Irani dhe do të dilnin përmes një rruge të kontrolluar nga Omani. Për sigurinë dhe ruajtjen e mjedisit detar do të vendoseshin tarifa shërbimi, sipas dy zyrtarëve rajonalë që i kanë deklaruar këto informacione Agjencisë Associated Press.
Zyrtarët theksojnë se negociatat janë ende në vazhdim dhe se marrëveshja përfundimtare mund të marrë një formë tjetër. Çdo marrëveshje lidhet me heqjen e bllokadës amerikane mbi portet iraniane.
Ata kanë folur në kushtet e anonimitetit për shkak të natyrës së ndjeshme të bisedimeve që zhvillohen prapa dyerve të mbyllura. Këto deklarata përputhen me thënien e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të mëparshme sot, se “është bërë përparim në këto bisedime, por ende nuk ka finalitet”.
Një zyrtar amerikan i njohur me negociatat thotë se çdo rrugë “e përkohshme” që do të vendosej nëpër ngushticë nuk do të përfshinte miratime nga Irani apo tarifa. Ky zyrtar, i cili gjithashtu flet në kushte anonimiteti, shton se SHBA mbetet e përkushtuar ndaj kthimit në status quo-në, ku “asnje palë nuk kontrollon rrugët apo aftësinë për të kaluar nëpër to”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




