Aksident tragjik në Korçë–Maliq/ Makina përplaset nga pas dhe përfundon në kanal, humb jetën i riu, dy të plagosur

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar gjatë mesnatës në aksin rrugor Korçë–Maliq, në afërsi të fshatit Vlocisht, ku një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz”, me të cilin udhëtonte i vetëm viktima, ka dalë nga një rrugë rurale për t’u futur në aksin kryesor. Në atë moment, automjeti është goditur nga pas nga një mjet tip “Audi”.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke bërë që automjeti “Benz” të dalë nga rruga dhe të përfundojë në një kanal anësor, thuajse i përgjysmuar. Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi i mjetit, një i ri nga Korça, ka humbur jetën në vendngjarje.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur dy persona, drejtuesi dhe pasagjeri i automjetit “Audi”. Forcat e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 01:00, në aksin rrugor Korçë–Pogradec, në afërsi të fshatit Vloçisht, automjeti tip “Benz”, me drejtues shtetasin O. P., 26 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin K. C., 27 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit tip “Benz”, shtetasi O. P.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Audi”, shtetasi K. C., si dhe një pasagjer që udhëtonte në këtë automjet. Të dy po marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



