Elbasan/Finalizohen dy operacione kundër transportimit të emigrantëve të paligjshëm, arrestohen tre persona
Policia e Elbasanit ka finalizuar dy operacione të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufijve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke arrestuar tre persona dhe duke goditur dy raste të transportimit të emigrantëve.
Operacionet, të koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”, u zhvilluan nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrolleve në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan, i cili transportonte 14 emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, shtetasit A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, banues në Përrenjas, të cilët transportonin 10 emigrantë. Nga verifikimet rezultoi se A. R. drejtonte automjetin pa leje drejtimi.
Në total, gjatë dy operacioneve u kapën 24 emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Policia sekuestroi dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




