Rrezikoi pushuesit në Zvërnec, policia bllokon Jet Ski-n dhe gjobit drejtuesin me 300 mijë lekë

Aktualitet | 3 muaj më parë

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë bllokuar një mjet lundrues tip Jet Ski dhe kanë ndëshkuar drejtuesin e tij me një masë administrative prej 300.000 lekësh të rinj, pasi shkeli perimetrin e sigurisë në një plazh të Zvërnecit, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Sipas Policisë së Shtetit, kontrollet dhe patrullimet janë intensifikuar përgjatë gjithë vijës bregdetare për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.

Gjatë patrullimit në vendin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, në zonën e Zvërnecit, efektivët konstatuan se një Jet Ski kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku po laheshin pushuesit, duke krijuar rrezik për jetën dhe sigurinë e tyre.

Pas përfundimit të procedurave administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa ndaj poseduesit të tij, shtetasit me iniciale A. V., u vendos një gjobë prej 300.000 lekësh të rinj, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e rezervuara për pushuesit. Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje që cenon sigurinë në plazhe do të ndëshkohet sipas ligjit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme