Ndryshime në Ligjin “Për Librin”, miratohen rregullat e reja për digjitalizimin, kontratën tip autor-botues dhe Çmimet Kombëtare

Është miratuar Ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për librin në Republikën e Shqipërisë’”, i cili riformulon kuadrin rregullator për botimin, mbrojtjen, promovimin dhe shpërndarjen e librit brenda dhe jashtë territorit të vendit.
Ligji i ri, cili është publikuar të enjten edhe në Fletoren Zyrtare, shpall zyrtarisht si veprimtari me interes publik e kombëtar prodhimin dhe mbrojtjen e librit e të produkteve të përafërta me të, si dhe promovimin e tij jashtë kufijve shtetërorë. Ndryshimet ligjore synojnë mbrojtjen e të drejtave të autorit, nxitjen e leximit, digjitalizimin dhe rritjen e aksesueshmërisë.
Inovacionet kryesore të ligjit të ri
Në konceptin e librit përfshihen zyrtarisht librat elektronikë dhe materialet shoqëruese (pamore, audiovizuale apo zanore). Po ashtu, përcaktohet nocioni i “librashitësit” edhe për tregjet elektronike, si dhe roli i shtetit dhe “importuesit” të botimeve.
Çdo ekzemplar libri në qarkullim do të pajiset me një identifikues unik universal në formë barkodi, i përbërë nga tre komponentë (ISBN/DOI, të dhënat kohore dhe një komponent algoritmik unik). Gjenerimi dhe administrimi i këtyre barkodeve do të kryhet nga Agjencia e të Drejtës së Autorit.
Rregullohet me ligj edhe marrëdhënia kontraktuale me shkrim mes autorit dhe shtëpisë botuese. Kontrata tip do të miratohet me akt nënligjor dhe duhet të përcaktojë detyrimisht afatin, territorin, formatet, tirazhin, raportimin e shitjeve dhe shpërblimin. Shpallet e pavlefshme çdo klauzolë që i mohon autorit të drejtën e informimit mbi shitjet.
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) rikonfirmohet si person juridik publik buxhetor me detyra të zgjeruara për financimin e projekteve, përkthimeve të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja dhe promovimit ndërkombëtar. Ligji sqaron se QKLL nuk do të ushtrojë kompetenca licencuese apo klasifikuese mbi shtëpitë botuese.
Institucionalizohet dhënia e përvitshme e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë për veprat e botuara gjatë vitit paraardhës. Juria do të emërohet brenda janarit dhe do të ketë mandat njëvjeçar, ndërsa fituesit do të shpallen jo më vonë se 20 dhjetori.
Parashikohet bashkëfinancimi i titujve të veprave të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, procedurat e të cilit do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore detyrohen të planifikojnë në buxhet një zë të veçantë e të patjetërsueshëm për blerjen e librave për bibliotekat publike. Ndërkohë, nga 5 kopjet e detyruara që dorëzohen, Biblioteka Kombëtare mban 3 kopje dhe i shpërndan të tjerat te Biblioteka e Kuvendit ose institucione të tjera publike.
Kontrolli mbi zbatimin e ligjit do të ushtrohet sipas legjislacionit për inspektimin, ndërsa masat administrative me gjobë do të jepen nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Ligji është dekretuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




