Ndërtimi i paligjshëm 5-katësh në Qeparo, pezullohet zinxhiri komandues i Policisë së Himarës

Aktualitet | 3 muaj më parë

Ndërtimi i një objekti 5-katësh pa leje në Qeparo ka sjellë pezullimin e zinxhirit komandues të Policisë së Himarës, ndërsa më herët Bashkia Himarë kishte vendosur edhe shkrirjen e strukturës së Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të katër punonjësve të Policisë që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur ka nisur ndërtimi i objektit në Qeparo.

Nga detyra janë pezulluar:

  • Nënkomisar Ferit Merkaj, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
  • Komisar Emiljano Prenga, ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht me të njëjtën detyrë në Komisariatin e Policisë Divjakë;
  • Nënkomisar Klodjan Petani, ish-Specialist për Hetimin e Krimit në Zonën Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
  • Inspektor Redin Çaushaj, me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ në Zonën Policore nr. 1 të Komisariatit të Policisë Himarë, ku u konstatua ndërtimi pa leje.

Pezullimi i tyre është shoqëruar me nisjen e hetimit disiplinor, pasi në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, është konstatuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, i ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.

Sipas verifikimeve paraprake, ndërtimi kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025, ndërsa nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masat e nevojshme për parandalimin e ndërtimit dhe referimin e përgjegjësve.

Për këtë rast, edhe pronari i ndërtimit L. B., banues në Laç, është arrestuar nga Policia e Himarës, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe tre punonjës të IMT-së Himarë, mes tyre kryeinspektori dhe dy inspektorë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Objekti i ndërtuar pa leje në zonën e Qeparoit është shembur gjatë ditës së sotme nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT).

Masat ndaj punonjësve të Policisë vijnë pasi edhe Bashkia Himarë vendosi të shkrijë strukturën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit.

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, deklaroi se kishte vendosur për herë të dytë brenda një viti të shkrijë IMT-në e bashkisë, duke e lidhur vendimin me neglizhencën dhe mosveprimin ndaj ndërtimeve pa leje.

Sipas tij, një nga rastet konkrete ishte pikërisht objekti 5-katësh në zonën e Qeparoit, për të cilin ai tha se ishte ndërtuar në kundërshtim me ligjin.

Tavo bëri të ditur gjithashtu se do t’i kërkonte IKMT-së të marrë përkohësisht përsipër kontrollin e territorit të Himarës, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe situatës së krijuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme