Mbi 200 viktima nga tërmeti në Kolumbi, MEPJ: Nuk ka raportime për shqiptarë të prekur

Më shumë se 200 viktima janë raportuar deri mëngjesin e kësaj të mërkure (12 gusht) si pasojë e tërmetit fatal që goditi Kolumbinë perëndimore. E teksa autoritetet vijnë ende kërkimet për gjetjen e të mbijetuarve nga nën rrënojat, Ministria e Jashtme shqiptare ka informuar qytetarët e saj se deri në këto momente nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur si pasojë e tërmetit.
MEPJ bën me dije po ashtu se, nuk rezultojnë dëmtime nga tërmeti në institucionet penitenciare ku ndodhen shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Kolumbi apo janë në pritje të procedurave të ekstradimit.
Ndërkaq, MEPJ u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Kolumbi dhe kanë nevojë për asistencë konsullore si pasojë e tërmetit, që të kontaktojnë në numrin e emergjencës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil.
Njoftimi i plotë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek situatën e krijuar pas tërmetit me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë më 10 gusht 2026, me epiqendër pranë San José del Palmar, në pjesën perëndimore të Kolumbisë.
Sipas të dhënave më të fundit të raportuara, tërmeti ka shkaktuar 132 viktima dhe mbi 570 persona të plagosur. Operacionet e kërkim-shpëtimit dhe vlerësimi i dëmeve vijojnë në zonat e prekura, ndërsa bilanci mbetet në përditësim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përmes Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil, e cila mbulon Kolumbinë, është në kontakt me autoritetet përkatëse dhe po verifikon në vijimësi situatën e shtetasve shqiptarë që ndodhen në vend.
Deri në këto momente, nuk ka raportime për shtetas shqiptarë të vdekur apo të plagosur si pasojë e tërmetit.
Po ashtu, nga informacioni i marrë deri në këto momente, nuk rezultojnë dëmtime nga tërmeti në institucionet penitenciare ku ndodhen shtetas shqiptarë që vuajnë dënimin në Kolumbi apo janë në pritje të procedurave të ekstradimit.
MEPJ dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Brazil vijojnë komunikimin me autoritetet kolumbiane dhe verifikimin e informacionit mbi situatën e shtetasve shqiptarë.
Shtetasit shqiptarë që ndodhen në Kolumbi dhe kanë nevojë për asistencë konsullore si pasojë e tërmetit mund të kontaktojnë në numrin e emergjencës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Brazil: +55 61 99301 6139
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



