“Adopto një film”, një mundësi për të shpëtuar kujtesën e kinemasë shqiptare

Kulturë | 3 muaj më parë

Ka filma që nuk janë thjesht filma. Janë kujtime, janë personazhe me të cilët jemi rritur. Janë zëra, fytyra dhe histori që kanë mbetur pjesë e kujtesës së disa brezave.

Pikërisht për t’i mbajtur gjallë këto kujtime, rreth tre muaj më parë, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi nismën “Adopto një film për restaurim”, një nismë që tashmë ka dhënë rezultatet e para, duke afruar publikun dhe dashamirësit e kinemasë shqiptare me një mision të përbashkët: të shpëtojmë filmat tanë nga harresa dhe t’ua rikthejmë shkëlqimin e dikurshëm.

“Mund të them me plot bindje që është një nga nismat më të veçanta që përfshin kujtimet e njerëzve drejt një restaurimi të thellësishëm dhe kjo është qëllimi i nismës sonë, ‘Adopto një film për restaurim’. Jo thjesht adopton një film. Personazhe dhe personalitete të ndryshëm të jetës shoqërore kanë marrë përsipër tashmë filma që lidhen me jetën e tyre të fëmijërisë ose edhe më gjerë.”

Mes filmave që po i nënshtrohen këtij procesi është edhe një nga veprat ikonike të kinematografisë shqiptare, “Dimri i Fundit”. Filmi po restaurohet për t’iu rikthyer publikut në një cilësi të re, ndërsa premiera e tij pritet të jetë në fillim të vitit të ardhshëm.

“Dimri i Fundit” po restaurohet me plot bindje dhe krenari të madhe në Arkivin e Filmit, për të bërë një nga filmat më ikonë shqiptarë dhe për të çuar amanetin deri në fund të dy superregjisorëve, Muçaj dhe Mitro.

Por kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e një filmi. Ka të bëjë me ruajtjen e një pjese të historisë sonë.

Të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij misioni mund të shprehin dëshirën për të mbështetur restaurimin e një filmi përmes rrjeteve sociale të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit. Kontributi i tyre nuk do të mbetet pa emër. Emrat e kontribuesve do të vendosen në titrat hyrëse të filmit të restauruar, si një falënderim për ata që ndihmuan që një histori e vjetër të jetojë përsëri.

Sepse ndonjëherë të ruash një film do të thotë të ruash një copëz të vetes, një fytyrë, një zë, një histori, që brezat e ardhshëm të mund ta shohin sërish në ekran.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme