10 vatra zjarri aktive në vend, flakët jashtë kontrollit në Gurë-Lurë, Krujë dhe Dajt, ndërhyrje edhe nga ajri. Nuk ka rrezik për zonat e banuara

Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa qindra forca dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në operacionet për shuarjen e flakëve. Situata paraqitet më e vështirë në disa zona malore, ku terreni i thyer dhe vështirësia e ndërhyrjes nga toka kanë bërë të nevojshëm edhe angazhimin e mjeteve ajrore.
Në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, po zhvillohet një nga operacionet më të rëndësishme. Në terren janë angazhuar forca të MZSH-së, Policisë së Shtetit, strukturave bashkiake, ADZM-së, shërbimit pyjor, vullnetarë, AKMC, si dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Nga ajri operacioni mbështetet nga dy avionë Air Tractor. Forcat janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në Krujë, ku vijon ndërhyrja në disa vatra. Në Abaze po operojnë forcat tokësore, 57 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në lagjen Bojë, një vatër po trajtohet nga toka, ndërsa për një tjetër, në terren të vështirë, është angazhuar një helikopter i Forcave të Armatosura. Pranë banesave janë pozicionuar edhe tre automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, në Krastë–Halil vijon puna për shuarjen e flakëve, pa rrezik aktual për zonat e banuara.
Në Dajt vijon operacioni me 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Ndërsa në Priskë të Madhe po punojnë 15 efektivë me katër automjete zjarrfikëse, të mbështetur gjithashtu nga dy helikopterë. Në të dyja zonat, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Drenie, bashkia Patos, operacioni po vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur edhe nga një autoambulancë ushtarake.
Punë në terren të vështirë malor po zhvillohet edhe në Nëmerçkë dhe Dhëmbel, në bashkinë Përmet, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërkohë, në malin e Moravës, në bashkinë Devoll, forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në total, në operacionet për shuarjen e 10 vatrave janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake, ADZM dhe shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 31 vullnetarë.
Nga ajri po operojnë 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.
Forcat në terren do të vijojnë operacionet deri në vënien nën kontroll dhe shuarjen e plotë të të gjitha vatrave aktive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




