Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve- Në Shkodër, shumë familje te penalizuara nga dokumentacioni
Në Shkodër, një prej qyteteve me numrin më të madh të familjeve të përndjekura politikisht gjatë regjimit komunist, procesi i dëmshpërblimit vijon të përballet me zvarritje dhe pengesa.
Sipas kryetarit të shoqatës vendore të ish-përndjekurve politikë, Zenel Drangu nga rreth 3600 familje të të pushkatuarve dhe ish-burgosurve, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë tërhequr akoma këstin e tretë dhe të katërt, ndërkohë që prej një viti është hapur edhe kësti i pestë.
“Ka dalë një listë para dy ditësh, 2000 emra, pra që do marrin këstin e katërt, në një kohë që ka filluar kësti i pestë para dy vjetëve dhe kanë marrë një pjesë e mirë e këstit të pestë, por hala s’ka mbaruar kësti i katërt. Ka dhe kësti i tretë, ka njerëz sa të duash që vijnë në to, që kam kontakt me ta, që s’e kanë marrë as këstin e tretë”, tha Drangu.
Dokumentacioni mbetet pengesa kryesore. Një pjesë e trashëgimtarëve të parë jetojnë jashtë Shqipërisë dhe sigurimi i dokumenteve prej tyre vështirëson përfundimin e procedurave edhe për familjarët që jetojnë në vend.
“Për zgjidhjen e këtij problemi, shoqata thotë se ka propozuar ndryshime ligjore për një dosje, për shembull. Pra, ka 10 përfitues. Ata 10 përfitues, një janë në Kanada, një janë në Amerikë, një janë në Australi. Duke mos i bërë lehtë, ata penalizojnë edhe ata pesë që i bëjnë. Po ne i kemi bërë kërkesë. Jepju këtyre që kanë bërë letrat”, tha ai.
Ish-të përndjekurit politikë në Shkodër kërkojnë përshpejtimin e procedurave të dëmshpërblimit, që, siç shprehen, është jo vetëm një detyrim financiar, por edhe moral ndaj një shtrese që vuajti përndjekjen e regjimit komunist.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




