Pogradec, institucionet monitorojnë sigurinë dhe shërbimet gjatë sezonit veror
Kontrollet periodike përgjatë vijës liqenore të Pogradecit po vijojnë gjatë sezonit veror, të koordinuara nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Korçë, në bashkëpunim me inspektoratet dhe Bashkinë Pogradec.
Sipas prefektes Florinda Zegullaj, verifikimet synojnë të evidentojnë situatën në terren dhe të ndërhyjnë në kohë për çdo problematikë. Gjatë inspektimit u verifikuan disa prej elementëve kryesorë që lidhen me mbarëvajtjen e sezonit.
“Kemi konstatuar në fakt një sezon turistik të suksesshëm, pa problematika me rëndësi strategjike, problematika të vogla operacionale. Fati i mirë është që nuk kemi pasur raste të rënda kriminale në gjithë bregliqenin. Patjetër, siguria ushqimore ngelet element kyç, sepse të gjithë jemi familjarë dhe e dimë që shëndeti dhe siguria e ushqimit është e para. Inspektimet kanë qenë të vazhdueshme, por nuk janë konstatuar problematika me rëndësi të madhe raportimi. Gjatë inspektimit u verifikuan disa prej elementëve kryesorë që lidhen me mbarëvajtjen e sezonit. Deri më sot nuk kemi pasur problematika të mëdha. Janë marrë disa masa paralajmërimi, disa probleme të vogla.
Në kuadër të rendit të sigurisë publike, ky sezon ka qenë i qetë dhe pa problematika. Inspektimet janë kryer në mënyrë periodike për përmbushjen e kritereve. Uji i pijshëm ka dalë në nivelet normale. Uji është i konsumueshëm, është shumë i pastër, nuk ka ndotje bakteriale, është i klorinuar brenda të gjitha parametrave”, tha Zegullaj.
Gushti i këtij viti ka sjellë një rritje të ndjeshme të fluksit të pushuesve në Pogradec, që sipas institucioneve është trefishuar krahasuar me vitet e kaluara. Për këtë arsye, strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në gatishmëri për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e sezonit.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



