Fier, dy operacione policore brenda 24 orëve, arrestohen 3 persona, sekuestrohen 3 armë zjarri

Aktualitet | 3 muaj më parë

Dy operacione të njëpasnjëshme janë finalizuar nga Policia e Fierit dhe Mallakastrës në kuadër të kontrolleve të intensifikuara kundër armëmbajtjes pa leje. Në total, janë arrestuar 3 persona dhe janë sekuestruar 2 armë zjarri dhe 1 armë gjahu.

Në Fier, shërbimet e Komisariatit të Policisë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Aksi”.

Operacioni u zhvillua pas informacioneve operative se një shtetas lëvizte i armatosur me armë zjarri në automjet.

Gjatë kontrolleve në Bypass-in e Fierit, policia ndaloi automjetin që drejtohej nga M. M., 19 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të mjetit u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri, tip pistoletë.

Në vijim të veprimeve hetimore, u arrestua edhe F. B., 28 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte pasagjer në automjet. Sipas policisë, 28-vjeçari dyshohet se kishte dijeni se shoku i tij posedonte armën dhe synonte ta shiste në Fier.

Ndërkohë, në Mallakastër u finalizua operacioni policor i koduar “Hidden Guns”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë I. S., 38 vjeç, banues në fshatin Lofkënd.

Sipas policisë, 38-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu një shtetas tjetër. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve policore bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe arrestimin e të dyshuarit.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia sekuestroi një armë zjarri, tip kallashnikov, dhe një armë gjahu, të cilat dyshohet se i mbante pa leje dhe i kishte fshehur në banesë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme