Kujdes nga “Phishing”, Policia e Shtetit lëshon alarmin për mashtrimet bankare përmes SMS dhe WhatsApp-it

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia e Shtetit u ka drejtuar një thirrje urgjente qytetarëve për kujdes të shtuar, pas konstatimit të një vale të re mashtrimesh online që synojnë vjedhjen e llogarive bankare përmes mesazheve telefonike (SMS) dhe aplikacionit WhatsApp.

Sipas njoftimit zyrtar, ditët e fundit janë identifikuar raste të shumta ku persona ende të paidentifikuar paraqiten në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare. Përmes këtyre mesazheve, qytetarëve u kërkohet të përditësojnë urgjentisht të dhënat personalë, të verifikojnë llogarinë apo të ndjekin udhëzime të tjera, duke i nxitur të klikojnë mbi linqe të dyshimta.

Nga hetimet e kryera rezulton se bëhet fjalë për skema klasike të mashtrimit kibernetik të tipit “phishing”. Synimi i këtyre sulmeve është vjedhja e kredencialeve të shërbimit e-banking, kodeve njëpërdorimëshe të verifikimit (OTP), si dhe numrave të kartave bankare. Pasi shtënë në dorë këto të dhëna, mashtruesit kryejnë transaksione të paautorizuara, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare viktimave.

Për të parandaluar rënien pre e këtyre skemave, Policia e Shtetit rendit disa masa kryesore mbrojtëse:

  • Mos klikoni mbi linqe- Shmangni hapjen e lidhjeve të dërguara në SMS apo WhatsApp nga numra të panjohur ose të dyshimtë.
  • Ruani të dhënat konfidenciale- Mos jepni kurrë fjalëkalimet, kodet e sigurisë OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës. “Bankat nuk kërkojnë kurrë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta,” rikujton Policia.
  • Përdorni vetëm kanalet zyrtare- Përpara se të identifikoheni në shërbimet bankare, kontrolloni me kujdes adresën e faqes së internetit dhe kontaktoni bankën vetëm në numrat e saj zyrtarë.

Gjithashtu, autoritetet udhëzojnë se nëse keni klikuar aksidentalisht në një lidhje të dyshimtë ose keni dhënë të dhënat tuaja, duhet të kontaktoni menjëherë bankën për të bllokuar llogarinë, të ndryshoni fjalëkalimet dhe të raportoni rastin pa vonesë në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Shtetit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme