Nuk iu bashkua luftës ndaj Iranit, Trump paralajmëron reduktim të stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut

Botë | 3 muaj më parë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të reduktojnë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, duke e lidhur vendimin me marrëdhënien e tij me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, si dhe me qëndrimin e Seulit ndaj konfliktit me Iranin.

Trump e bëri deklaratën përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, në një kohë kur SHBA-ja dhe Koreja e Jugut po përgatiteshin të nisnin stërvitjen e përvitshme ushtarake “Ulchi Freedom Shield”.

Sipas presidentit amerikan, këto stërvitje janë të kushtueshme dhe, sipas tij, dërgojnë një mesazh të papërshtatshëm dhe armiqësor ndaj Koresë së Veriut.

Trump përmendi gjithashtu faktin se Koreja e Jugut nuk pranoi t’i bashkohej SHBA-së në përpjekjet për “denuklearizimin” e Iranit.

“Edhe pse disi pa lidhje, së fundmi pyeta Presidentin e Koresë së Jugut nëse do të donin të na bashkoheshin në denuklearizimin e Republikës Islamike të Iranit, dhe ata thanë: ‘Jo faleminderit!’”, shkroi Trump.

Në arsyetimin e tij, Trump iu referua edhe marrëdhënies së tij me Kim Jong Un.

Vetëm një ditë para deklaratës për stërvitjet, presidenti amerikan publikoi një fotografi të vjetër me liderin e Koresë së Veriut, të realizuar gjatë takimit të tyre në vitin 2019.

Trump e shoqëroi fotografinë me një koment ku e cilësoi veten dhe Kim-in si miq të afërt, pavarësisht atmosferës së ftohtë që dukej në atë moment.

Marrëdhënia mes Trump dhe Kim ishte një nga zhvillimet më të bujshme diplomatike gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan. Në vitin 2019, Trump u bë presidenti i parë në detyrë i SHBA-së që shkeli në territorin e Koresë së Veriut.

Koreja e Jugut reagoi me kujdes ndaj deklaratave të presidentit amerikan. Autoritetet në Seul thanë se po i shqyrtonin komentet e Trump dhe se do të vazhdonin konsultimet me Uashingtonin për të ardhmen e stërvitjeve të përbashkëta.

Më herët, ushtria koreano-jugore kishte bërë të ditur se “Ulchi Freedom Shield” do të zhvillohej sipas planit.

Stërvitja pritet të zgjasë 11 ditë dhe, sipas njoftimeve të bëra nga autoritetet ushtarake, rreth 18 mijë trupa koreano-jugore do të marrin pjesë. Në Korenë e Jugut janë të dislokuar rreth 28.500 trupa amerikane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme