Rusia anulon festivalin e madh ushtarak në Sheshin e Kuq për shkak të sulmeve me dronë

Rusia ka vendosur të anulojë një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore-ushtarake në Moskë, Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Ushtarake në Kullën Spasskaya, vetëm katër ditë para nisjes së tij.
Organizatorët njoftuan në kanalin zyrtar në Telegram se ngjarja është shtyrë deri në vitin 2027 “për shkak të rrethanave përtej kontrollit të organizatorëve”.
Ky festival, i cili nisi në vitin 2007 me urdhër të Presidentit Vladimir Putin, është konsideruar një nga eventet më të spikatura me temë ushtarake në Rusi, krahas Paradës së Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë dhe Ditës së Marinës në Shën Petersburg.
Deri më tani, ai ishte anuluar vetëm një herë, në vitin 2020, për shkak të pandemisë Covid-19.
Në vitet e para, festivali tërhiqte banda ushtarake nga vendet e BE-së, Australia dhe Kanadaja, por pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, pjesëmarrja ndërkombëtare ka rënë ndjeshëm.
Vendimi për anulimin e këtij viti lidhet drejtpërdrejt me intensifikimin e sulmeve me dronë ukrainas ndaj kryeqytetit rus.
Gjatë natës, forcat e Kievit nisën një nga sulmet më të mëdha të muajve të fundit, me mbi 600 dronë të drejtuar drejt Moskës dhe rajonit përreth.
Sipas mediave ruse, objektivat kryesore ishin depot e logjistikës dhe qendrat e tregtisë online si Wildberries, duke shkaktuar zjarre masive dhe humbjen e një jete.
Ky nuk është aktiviteti i vetëm i anuluar në Sheshin e Kuq. Më herët gjatë qershorit, Kremlini anuloi një koncert gala që shënonte Ditën e Rusisë, ndërsa Parada e Ditës së Fitores më 9 maj u zhvillua në një shkallë të kufizuar dhe, për herë të parë në gati 20 vjet, pa pajisje të rënda ushtarake.
Anulimi i festivalit tregon se klima e pasigurisë në kryeqytetin rus po ndikon drejtpërdrejt edhe në aktivitetet kulturore e simbolike të vendit.
Për shumë analistë, ky është një sinjal i qartë se presioni i vazhdueshëm i luftës në Ukrainë po ushtron ndikim të madh mbi jetën publike në Rusi, duke e bërë të pamundur organizimin e aktiviteteve të mëdha në zemër të Moskës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




