Drejtësia përballë sfidave, Kosteri: Mosbesimi dhe stoku i dosjeve mbeten problematika
Sistemi i drejtësisë në vend vijon të përballet me disa sfida. Sipas kryetarit të Dhomës së Avokatisë Shkodër, Anton Kosteri, një prej tyre është mosbesimi që qytetarët kanë ndaj drejtësisë.
“Një nga problematikat thelbësore që një qytetar has kur ka kontakt me sistemin e drejtësisë, me gjykatën, me prokurorinë apo me avokatinë është lind që në perceptimin që ka individi dhe shoqëria në përgjithësi se nuk do marrë drejtësi. Ky është një problem që ne hasim përditë. Një nga problemet më të mëdha që hasim ne si avokat është mungesa e besimit që ka individi”, deklaroi Anton Kosteri, Kryetar i Dhomës së Avokatisë Shkodër.
Një tjetër problem është numri i lartë i dosjeve të prapambetura. Sipas Kosterit, vonesat në vendimmarrje dhe burimet e kufizuara kanë ndikuar në krijimin e këtij stoku.
“Stoku i madh i çështjeve, mungesa e burimeve njerëzore në të gjitha nivelet si në polici, si në policinë gjyqësore, si në prokurori po ashtu edhe në sistemin gjyqësor ka një mangësi përsëri shumë të madhe të burimeve njerëzore, çka dëmton procesin, e ul shumë marrjen e shërbimit cilësor”, tha Kosteri.
Përmirësimi i funksionimit të sistemit dhe shqyrtimi më i shpejtë i çështjeve shihen si të rëndësishme për të ulur numrin e dosjeve të prapambetura dhe për të rritur besimin e qytetarëve tek drejtësia.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



