Vlorë, nis vala e kthimit pas pushimeve, porti përballon lëvizjet me Brindisin
Pas përfundimit të pushimeve verore, Porti i Vlorës ka regjistruar fluks të lartë në dalje, me emigrantë që janë rikthyer drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë përmes linjës Vlorë–Brindisi. Ndërkohë, gjatë paradites mbërritën 1380 pasagjerë nga Italia, kryesisht turistë dhe vizitorë të huaj.
Nga janari deri në mesin e gushtit, në port janë përpunuar 48 mijë e 500 hyrje dhe 29 mijë e 600 dalje. Sipas drejtorit Valdet Bello, këtë vit është ulur numri i kthimeve të shtetasve shqiptarë, ndërsa është rritur prania e turistëve të huaj.
“Po punohet me kapacitet të plotë. Kemi shtuar numrin e kabinave të kufirit, ku punohet me gjashtë kabina të cilat operojnë në të dy anët.Sipas statistikave dhe shifrave që kemi këtu, vërejmë një rënie të numrit të pasagjerëve, por numri i shtetasve të huaj nuk është në rënie – përkundrazi, është në rritje. Ndërkohë, numri i pasagjerëve shqiptarë është në rënie.”
Ndryshe nga lëvizjet e pasagjerëve, volumi i mallrave të përpunuara në port dhe në Doganën e Vlorës ka shënuar rritje krahasuar me një vit më parë.
“Aktualisht jemi në pikun e sezonit duke qenë që është rritur numri i përpunimit të mjeteve dhe pasagjerëve.”
Aktualisht, Porti i Vlorës vijon operimin me dy tragete në linjën e vetme ndërkombëtare me Brindisin, duke përballuar fluksin e sezonit turistik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




