“Negativët e xhamit”, dëshmi të një epoke. Vani Burda dhe Thimi Raci, pionerët e fotografisë shqiptare
Parku Rinia në Tiranë u kthye në një hapësirë ku e shkuara takon të tashmen, përmes një ekspozite fotografike që sjell imazhe të rralla nga Korça e fillim shekullit të XX.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, prezantoi fotografi të realizuara nga dy prej pionierëve të fotografisë shqiptare, Vani Burda dhe Thimi Raci.
“Është një ekspozitë fotografie me disa fotografi të zgjedhura të fotografëve Raci dhe Burda. Janë negativat të cilat ne i kemi kthyer në pozitiv, i kemi nxjerrë për herë të parë sot për publikun”
Ekspozita, e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fotografisë, sjell për publikun momente nga jeta e përditshme e krahinës së Korçës.
Portrete njerëzish, pamje nga jeta urbane, por edhe momente nga periferia e qytetit, janë fiksuar në negativë xhami dhe sot ruhen në Fototekën e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
“E gjithë ekspozita përmban fotografi nga jeta sociale, jeta kulturore, pamjet urbane të Shqipërisë të një epoke tjetër. Të dy fotografët sollën një ritëm tjetër të fotografisë në Shqipëri dhe ja dolën që të lënë gjurmë të pashlyera dhe të ruhen sot edhe në fototekën e Arkivit Qendror të Shtetit”
Fototeka e DPA-së, e cila është e dyta më e madhe në vend për fotografitë e periudhës para vitit 1944, vijon të nxjerrë në dritë dëshmi të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, duke e sjellë arkivin më pranë publikut.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




