Procedurat estetike në verë, mjekët: Kujdes nga komplikacionet. Zgjidhni profesionistin, jo klinikën luksoze!
Gjatë verës interesi për procedura mjekësore estetike shtohet, por ajo që mjekët dermatologë profesionistë po shohin në praktikën e tyre është rritja e numrit të pacientëve me komplikacione pas këtyre procedurave. Shkaku? Aplikimi i gabuar i këtyre ndërhyrjeve nga persona të pakualifikuar ose jashtë protokolleve mjekësore.
“Jemi një armatë mjekësh profesionistë, të cilët shohim një mori rastesh me probleme për shkak të aplikimit jo të përshtatshëm, jo në bazë të protokollit mjekësor”, u shpreh dermatologia Monika Fida
Rreziqet që u kanosen individëve nga aplikime të tilla variojnë nga minimale deri në verbim, thotë shefja e Shërbimit të Dermatologjisë në QSUT, Monika Fida.
“Në varësi të kontekstit, rrezikshmëria mund të jetë e ndryshme. Përgjithësisht, mund të kemi efekte anësore minimale, por situata mund të agravohet dhe të çojë në komplikacione të tilla si infeksione bakteriale, shfaqjen e noduseve në lëkurë, apo mosfunksionimin normal të zonës së injektuar, deri në verbim”, tha ajo.
Në verë, disa procedura shfaqen në rrjetet sociale si procedura rutinë, edhe pse janë totalisht të parekomandueshme.
“Ka procedura relativisht të sigurta, si disa lloje injeksionesh, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për procedurat si microneedling-u, mikroinjeksionet, procedurat me temperaturë, vakum apo trajtime të tjera që ndikojnë në lëkurë. Pikërisht disa lazerë, pilingjet kimike, microneedling-u ose Dermapen-i mund të mos duhen bërë në këtë periudhë, veçanërisht ku pacienti ekspozohet në diell”, tha dermatologia Fida.
Njohja profesionale e mjekut dhe këshillimi me të para aplikimit të ndërhyrjes do të shmangte shumë gabime, ndaj mjekët apelojnë për vëmendje se kujt ia dorëzojmë pamjen tonë.
“Në fund, zgjedhja e profesionistit që kryen procedurën është shumë e rëndësishme. Nuk duhet të zgjedhim thjesht një klinikë bukurie, por një profesionist të kualifikuar, i cili ka njohuritë dhe kompetencën e nevojshme për të kryer procedurën në mënyrë të sigurt. Mos zgjidhni klinikën e bukur, por profesionistin!”, tha mjekja.
Autoritetet shëndetësore kanë pranuar më herët se fusha e mjekësisë estetike ka nevojë për një kuadër të posaçëm rregullator, të përputhshëm me standardet e BE-së.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




