Zjarrfikësit përballë sfidave të verës, në Shkodër kapacitetet janë përmirësuar
Zjarret e ditëve të fundit kanë rikthyer në vëmendje kapacitetet e strukturave zjarrfikëse për përballimin e emergjencave, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Drejtori i MZSH Shkodër, Agim Ponari, thotë se vitet e fundit ka patur përmirësim në burimet njerëzore dhe pajisje.
Megjithatë, sipas tij, kapacitetet ende nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë territorin. Ai sjell si shembull Thethin, një prej zonave më të rëndësishme turistike.
“Kemi pasur edhe raste në Theth kur kemi vajtur nga këtu. Numri i efektivëve të shërbimit zjarrfikës nuk ka kapacitetet akoma për të krijuar një shërbim zjarrfikës të përhershëm në Theth, sepse duhen mjete dhe duhen efektivë që të jenë në çdo moment atje. Nuk i kemi akoma.Jemi në tentativë për shtim të efektivëve, por kemi bërë një arritje shumë të madhe. Këto tre-katër vitet e fundit, të paktën kemi shtuar rreth 18 veta.”
Krahas shtimit të kapaciteteve, rëndësi ka edhe parandalimi. Ponari vë theksin tek edukimi në shkolla për rrezikun nga zjarret dhe kërkon më shumë ndërgjegjësim nga qytetarët.
““Apeli ynë është që qytetarët të kenë shumë kujdes me çdo objekt apo pajisje që ka premisa për të shkaktuar zjarr. Duhet të vazhdojnë bashkëpunimin me Drejtorinë e Shërbimit Zjarrfikës, ashtu siç e kemi ndërtuar deri tani.Është e domosdoshme që edhe në shkolla të ketë një temë të veçantë për shërbimin zjarrfikës, në mënyrë që nxënësit ta kuptojnë sa më mirë mbrojtjen ndaj zjarrit dhe rrezikun që shkakton ai.”
Sezoni i verës sjell një angazhim më të madh për zjarrfikësit, ndërsa parandalimi dhe forcimi i kapaciteteve mbeten të rëndësishme për përballimin e zjarreve.
Gazetar: M. Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



