Ndërron jetë në burgun e Fierit i dënuari për pastrim parash, dyshohet për hemorragji cerebrale

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një 58-vjeçar i dënuar për pastrim të produkteve të veprës penale dhe grup të strukturuar kriminal ka ndërruar jetë në burgun e Fierit. Dyshohet se i dënuari ka pësuar një hemorragji cerebrale. Bëhet fjalë për Ardian Malasin, i cili, sipas të dhënave zyrtare të burgut të Fierit, kishte kërkuar ndihmë mjekësore teksa ndodhej në qeli. Më pas ai është dërguar në infermieri, ku ka humbur ndjenjat.

Menjëherë pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, Malasi është transportuar drejt Spitalit të Fierit, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një hemorragji cerebrale. Për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes pritet kryerja e autopsisë.

Malasi ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprat penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në forma bashkëpunimi dhe në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal”.

Fillimisht, me vendimin e datës 17 janar 2025, ai ishte dënuar me 8 vite burgim në regjimin e sigurisë së lartë. Vendimi është ndryshuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 1 qershor 2026 dhe po atë datë ka marrë formë të prerë.

“Në IEVP Fier trajtohet me statusin e të dënuarit shtetasi Ardjan Malasi, i datëlindjes 05.04.1968, lindur në Ballsh dhe banues në Ballsh, me shtetësi dhe kombësi shqiptare”, thuhet në njoftim.

Malasi ishte arrestuar më 26 tetor 2023 dhe ishte transferuar në burgun e Fierit më 16 korrik 2026, nga burgu “Jordan Misja” në Tiranë, pas marrjes së vendimit të formës së prerë.

Referuar të dhënave të burgut, ai kishte vuajtur 4 vite, 1 muaj e 18 ditë burgim dhe i kishin mbetur për të vuajtur edhe 3 vite, 10 muaj e 12 ditë. Hetimet për rrethanat e vdekjes vijojnë, ndërsa autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme