387 rekrutë të rinj i shtohen Policisë së Shtetit, Lamallari: Uniforma nuk jep privilegje, por përgjegjësi

Aktualitet | 2 muaj më parë

Rradhëve të Policisë së Shtetit u janë shtuar zyrtarisht 387 të rinj e të reja pas përfundimit të kursit për Patrullë të Përgjithshme. Gjatë ceremonisë së certifikimit të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, nënvizuan nevojën për një transformim rrënjësor të strukturave policore drejt parandalimit të krimit dhe rritjes së besimit publik.

Gjatë fjalës së tij, ministri Lamallari vuri theksin te misioni dhe etika profesionale e efektivëve të rinj, duke nënvizuar se uniforma përfaqëson përgjegjësi ndaj qytetarëve.

“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi. Do të ketë njerëz që do të përpiqen t’ju joshin, t’ju blejnë, t’ju frikësojnë apo t’ju vënë në provë. Qëndroni të fortë! Mos e bëni pis uniformën, mos e tradhtoni besimin e qytetarit dhe mos harroni kurrë se integriteti është arma juaj më e fuqishme,” u shpreh Besfort Lamallari.

Ky hapi i ri trajnues përkon me vizionin e modernizimit të policisë, me synim kalimin nga një forcë reaguese në një shërbim proaktiv të integruar në komunitet.

“Mbi gjithçka është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mendësinë si qasemi, nga një polici që thjesht reagon drejt një policie që parandalon. Nga një polici që shihet vetëm kur ndodh një problem, drejt një policie që është e pranishme çdo ditë pranë qytetarit,” deklaroi ministri i Punëve të Brendshme.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u bëri thirrje kursantëve të ruajnë me rreptësi orientimin etik përgjatë gjithë karrierës së tyre.

“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi,” tha Skënder Hita.

Çertifikimi i efektivëve të rinj shënon një tjetër hap në kuadër të reformave strukturore dhe adaptimit të standardeve evropiane në Policinë e Shtetit.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme