Përfundon takimi LVV–LDK, Kurti: Kemi folur për emra konkret për president

Ka përfunduar takimi mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, i zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Pas përfundimit të takimit, kreu i LVV-së, Albin Kurti, deklaroi se bisedimet kanë shënuar një hap të ri, pasi për herë të parë janë diskutuar edhe emra konkretë për postin e presidentit.
“Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë, serioz. Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, deklaroi Kurti.
Kurti theksoi se emrat e diskutuar do të mbeten konfidencialë deri në arritjen e një marrëveshjeje.
“Duhet ta ruajmë, duhet ta mbrojmë konfidencialitetin e bisedimeve të brendshme”, tha ai, duke shtuar se personat e diskutuar nuk janë kontaktuar paraprakisht për të marrë konfirmimin e tyre nëse do ta pranonin kandidaturën.
Kurti la të kuptohet se palët synojnë një marrëveshje sa më të shpejtë.
“Nuk është çështje muajsh kur ne duhet të merremi vesh. Është çështje javësh e do të dëshironim që të ishte çështje ditësh. Por komunikimi nuk ndërpritet, takimet do të vazhdojnë”, u shpreh ai.
Kurti nuk bëri të ditur as numrin dhe as identitetin e kandidatëve të diskutuar, por tha se të gjitha propozimet e paraqitura në tryezë kanë qenë në përputhje me kriteret e dakorduara.
“Të gjithë janë personalitete të mira, të gjithë janë shumë të mira, por neve na duhet të zgjedhim atë që është e shkëlqyeshme”, deklaroi ai.
Duke folur për situatën politike në Kosovë, Kurti tha se qëllimi i negociatave është arritja e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte zgjedhjen e presidentit dhe do të shmangte shkuarjen në zgjedhje të reja.
“Ne nuk jemi duke pritur, jemi duke punuar ditë e natë që të arrijmë një marrëveshje politike”, tha Kurti.
Takimi mes dy forcave politike zhvillohet në një kohë kur në Kosovë vijojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të shmangur zgjedhjet e reja të parakohshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




