Zgjedhjet lokale në Gjermani/Ekstremi i djathtë kryeson bindshëm në sondazhe, sfidë për partitë tradicionale

Europë | 2 muaj më parë

Një javë para zgjedhjeve për parlamentin e landit Saksoni-Anhalt, partia gjermane e ekstremit të djathtë AFD-ja është shkëputur ndjeshëm nga rivalët. Sondazhi i fundit i ARD-së e nxjerr AFD-në me 42 për qind të votave, 20 pikë përpara CDU-së.

Kristiandemokratët sipas sondazhit pritet të marrin 22 për qind të votave , duke regjistruar një tjetër rënie në mbështetje. Për CDU-në, ky do të ishte rezultati më i dobët i saj në këtë land. Në kampin e AfD-së, ndërkohë, rezultati shihet si një mundësi reale për një fitore historike.

Me 42 për qind, partia do të dyfishonte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021 dhe do të arrinte nivelin më të lartë të saj në një zgjedhjet rajonale në Gjermani. Pas dy forcave kryesore, sipas sondazhit, në renditje vjen e Majta me 11 për qind, ndërsa SPD-ja dhe të Gjelbrit mbeten në 8 dhe 6 për qind.

Shifrat tregojnë se gara për vendin e parë është qartësisht në favor të AfD-së, por pyetja kryesore është se çfarë qeverie mund të krijohet pas zgjedhjeve. AfD-ja nuk pritet të ketë shumicën e vetme, ndaj partitë e tjera do të përballen me një provë të vështirë për formimin e koalicionit.

Zgjedhjet zhvillohen më 6 shtator dhe rezultati mund të ketë jehonë përtej këtij landi. Saksoni-Anhalti shihet si një tjetër test për partitë tradicionale gjermane, ndërsa AfD-ja kërkon të kthejë rritjen e saj në sondazhe në një fitore konkrete. Megjithatë, ekspertët kujtojnë se sondazhet pasqyrojnë vetëm opinionin në momentin e anketimit dhe gara mbetet e hapur deri në ditën e votimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme