Tragjedi në Jacksonville/ Familja nga Lushnja humb tre fëmijë nga zjarri që përfshiu shtëpinë. Rëndë dy fëmijë dhe prindërit

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Jacksonville, ku tre fëmijë humbën jetën në një zjarr shkatërrues në banesën e tyre të mërkurën në mëngjes.

Dy të rritur (prinderit) dhe dy fëmijë të tjerë nga e njëjta familje ndodhen në spital me lëndime kritike.

Zjarrfikësit e Jacksonville, raportuan se alarmi u dha në orën 5:13 të mëngjesit në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road.

Ekipet mbërritën vetëm katër minuta më vonë dhe gjetën flakë të mëdha në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë.

Shefi i zjarrfikësve, Percy Golden, tha se dy të rritur kishin arritur të dilnin nga shtëpia së bashku me dy fëmijë përpara mbërritjes së ekipeve.

Një fqinj tregoi se një foshnjë dhe një i rritur u hodhën nga dritarja e katit të dytë dhe u kapën nga kalimtarët.

Zjarrfikësit kontrolluan banesën dhe gjetën tre fëmijë pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll në orën 5:38 të mëngjesit.

Viktimat dhe të mbijetuarit u transportuan menjëherë në spital nga JFRD. Ndërkohë, Kryqi i Kuq po ndihmon shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë që u zhvendosën për shkak të zjarrit.

Familja e prekur, e njohur si familja Manati është me origjinë nga Lushnja. Një kushëri i tyre, Alessia Firi, ka nisur një fushatë GoFundMe që deri më tani ka mbledhur mbi 89,000 dollarë për mbulimin e kostove mjekësore dhe të funeralit.

“Familja dhe komuniteti i tyre janë plotësisht të pikëlluar ndërsa përballen me dhimbjen e padurueshme të kësaj humbjeje, ndërkohë që mbajnë shpresën për shërim dhe rimëkëmbje,” shkroi Firi në faqen e fushatës.

Ajo shtoi se shpresa është të lehtësohet qoftë edhe një pjesë e vogël e barrës financiare, në mënyrë që familja të përqendrohet tek shërimi dhe qëndrimi së bashku.

Hetimet për shkaqet e zjarrit po kryhen nga Zyra e Marshallit të Zjarrfikësve të Shtetit dhe Njësia e Vrasjeve e Zyrës së Sherifit të Jacksonville (JSO).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme