Rusia konfirmon vizitën e shefit të CIA-s, Kremlini mohon një takim mes John Ratcliffe dhe Putin
Raportimet e mediave amerikane se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, vizitoi Rusinë për ta paralajmëruar Moskën kundër një sulmi të mundshëm ndaj një vendi anëtar të NATO-s janë cilësuar si të pavërteta nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Histori të tilla nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”, u shpreh Peskov, duke shtuar se, sipas tij, është Rusia ajo që po përballet me një politikë tejet agresive nga vendet europiane.
Një ditë më parë, Peskov bëri me dije se drejtori i CIA-s kishte pasur kontakte vetëm me shërbimet speciale ruse gjatë vizitës së tij këtë javë në Moskë dhe se nuk ishte takuar me presidentin Vladimir Putin.
Pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Ratcliffe kishte shkuar në Moskë për një vizitë “gjysmë-rutinore” dhe la të kuptohej se në fokus të diskutimeve ishte lufta në Ukrainë, ndërsa mediat amerikane si “The Wall Street Journal” dhe “CBS News” raportuan për një tjetër qëllim të mundshëm të vizitës.
Sipas këtyre raportimeve, vizita e pazakontë e drejtorit të CIA-s në kryeqytetin rus kishte për qëllim paralajmërimin e Moskës kundër një sulmi të mundshëm ndaj një shteti anëtar të NATO-s, veçanërisht ndaj vendeve baltike.
Raportimet, duke iu referuar vlerësimeve të inteligjencës amerikane, sugjeronin se Moska mund të tentonte të vinte në provë aleancën më të madhe ushtarake në botë përmes një sulmi të kufizuar ndaj një prej vendeve anëtare.
Ratcliffe është një nga zyrtarët më të lartë amerikanë që ka vizituar Rusinë që nga nisja e luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Vizita në Moskë u zhvillua pas përshkallëzimit të ofensivës ruse në Ukrainë, ku kanë humbur jetën shumë civilë, ndërsa bisedimet për paqe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara ndodhen në një fazë stanjacioni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




