Ministria e Mbrojtjes: 5 vatra zjarri aktive në vend, operacionet e shuarjes së flakëve vijojnë me intensitet

Ministria e Mbrojtjes ka bërë publike përditësimin e situatës së zjarreve deri në orën 20:00 të datës 27 gusht 2026. Sipas njoftimit zyrtar, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 8 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar struktura operacionale vendore dhe qendrore, përfshirë Forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH), Forcat e Armatosura, Agjencitë e Zhvillimit Zonal/Agjencitë Zonale të Mjedisit (ADZM/AZM), shërbimin pyjor, Policinë e Shtetit, strukturat bashkiake si dhe vullnetarë. Në mbështetje të operacioneve tokësore janë aktivizuar dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të tre vatrave, janë angazhuar 20 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së, të mbështetura nga një helikopter i Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja po vijon në terren të vështirë, ndërsa vatrat mbeten ende aktive.Angazhimi më i gjerë tokësor është regjistruar në qarkun e Dibrës.
Në Qafë të Helmës kanë operuar 27 forca (8 nga MZSH Bulqizë, 9 nga shërbimi pyjor dhe 10 vullnetarë), të cilat kanë punuar me prita dhe pompa shpine. Në Vajkal janë angazhuar forca zjarrfikëse, 4 forca pyjore, 5 policore, 6 bashkiake, 13 të sektorit të shërbimit dhe 13 vullnetarë, ndërsa për shkak të erës operacioni është mbështetur edhe nga një helikopter.
Në Sllatinë janë angazhuar 10 zjarrfikës, 4 forca të ADZM-së, 5 forca të njësisë administrative dhe 7 vullnetarë. Për shkak të terrenit të thyer e malor, forcat kanë lëvizur me mjete 4×4 dhe janë mbështetur nga një helikopter.
Në Arrmollë, me angazhimin e 4 forcave dhe një autoboti uji, situata është normalizuar pa rrezik për banesat.Në Ungrej të Lezhës, zjarri është shuar plotësisht pas ndërhyrjes së dy automjeteve zjarrfikëse me 7 forca operacionale, 6 forca bashkiake dhe 4 vullnetarë.
Ndërkohë, në Elbasan vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje, pa paraqitur rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë situatën në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri të plotë, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



