Mbrojtja e fëmijëve në Gjirokastër/Dhuna, neglizhenca dhe shkolla, rastet më të shpeshta

Sociale | 2 muaj më parë

Dhuna, neglizhenca, vështirësitë familjare, por edhe problemet që lidhen me frekuentimin e shkollës, janë disa prej rasteve me të cilat përballet Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë Bashkisë Gjirokastër.

“Në krahasim me vitet e mëparshme, jo sepse janë rritur problematikat, por thjesht sepse komuniteti, shkollat dhe prindërit janë bërë më të ndërgjegjshëm dhe, le të themi, më praktikë në referimin e rasteve ose problematikave të ndryshme që hasin”, u shpreh Ismihan Rabaj, Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve, Bashkia Gjirokastër.

Çdo rast kërkon vëmendje të veçantë dhe ndërhyrje në kohë, ndaj për trajtimin e problematikave, strukturat vendore kanë zgjeruar bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse.

“Apeli ynë, si Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve, është që çdo fëmijë, në çdo situatë dhune, neglizhimi, abuzimi apo vështirësie, të mos lihet vetëm. Të mos heshtim përballë problemeve që prekin fëmijët, por të kërkojmë ndihmë në kohë, sepse një reagim në kohën e duhur mund të ndryshojë jetën e një fëmije. Le të punojmë së bashku për të garantuar një të ardhme dhe një siguri të plotë për fëmijët tanë”, tha ajo.

Raportimi në kohë dhe reagimi i institucioneve mund të parandalojnë përshkallëzimin e situatave dhe të garantojnë një mjedis më të sigurt për fëmijët. Sepse mbrojtja e fëmijëve nuk është vetëm detyrë e institucioneve, por përgjegjësi e të gjithë shoqërisë.

Gazetare: L. Koçiu

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme