SHBA sulmon objektivat ushtarake iraniane në Ishullin Larak për të bllokuar vendosjen e minave detare në ngushticën e Hormuzit

Botë | 2 muaj më parë

Ushtria amerikane ka ndërmarrë një sulm ushtarak kundër forcave iraniane, pasi këto të fundit u pikasën duke u përgatitur të vendosnin mina detare në ngushticën strategjike të Hormuzit. Ky zhvillim shënon sulmin e parë të njohur amerikan brenda territorit iranian që prej muajit korrik, kur Presidenti Donald Trump vendosi një pauzë në fushatën dyjavore ushtarake në këtë zonë.

Detajet e operacionit dhe paralajmërimi i Trump

Sipas një zyrtari amerikan, forcat e SHBA-së goditën dy lëshues iranianë në Ishullin Larak, ku trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) po përgatiteshin të lëshonin raketa të pajisura me mina detare drejt ngushticës.

Operacioni vjen pasi ushtria amerikane kishte planifikuar vetëm javën e kaluar pastrimin e të gjitha minave nga rrugët kryesore detare të transportit në këtë ngushticë. Lidhur me këtë situatë, Presidenti Trump ka paralajmëruar se çdo përpjekje e re do të marrë përgjigje të menjëhershme.

“Ekziston një politikë Zero Tolerance për vendosjen e minave në fuqi të plotë. Çdo anije apo varkë që vendos mina të ja do të shkatërrohet menjëherë dhe në mënyrë sistematike,” shkruajti Trump në rrjetin Truth Social.

Zyrtari amerikan theksoi se Uashingtoni po e monitoron zonën nga afër dhe mbetet i angazhuar për të garantuar lirinë e tregtisë ndërkombëtare përmes ngushticës.

Reagimi i Iranit

Nga ana e saj, agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, raportoi se sulmi u krye përmes një droni dhe si pasojë e tij dy persona u vranë, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.

Në një deklaratë zyrtare, IRGC ka dënuar sulmin, duke paralajmëruar se goditja amerikane “do të marrë përgjigje nga bijtë e Iranit dhe do të sjellë ndëshkimin e agresorit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme