Shkollat e Kukësit përgatiten për fillimin, 59 nxënës në klasat e para te “Riza Spahiu”

Arsim | 2 muaj më parë

Kjo javë ka nisur me angazhime të shtuara në shkollat e Bashkisë Kukës, ku drejtuesit dhe stafet pedagogjike po punojnë për përgatitjen e ambienteve në prag të nisjes së vitit të ri shkollor më 14 shtator. Në shkollën “Riza Spahiu”, përgatitjet vijojnë me sistemimin e klasave dhe organizimin e ambienteve për pritjen e nxënësve, ndërsa brenda kësaj jave pritet edhe mbërritja e teksteve shkollore, të cilat më pas do t’u shpërndahen nxënësve.

“Ne e kemi filluar tashmë punën dhe jemi në fazat e përgatitjes. Kemi zhvilluar mbledhjen me stafin pedagogjik dhe janë ndarë detyrat. Mësuesit po merren me rregullimin e klasave, pasi nga ana e bashkisë janë përfunduar të gjitha punimet e restaurimit, lyerjes etj. Ndërkohë, ka filluar edhe procesi i shpërndarjes së librave. Distributorët kanë nisur t’i sjellin librat në shkollë”, u shpreh Matilda Hoxha, Drejtoresha  shkollës “Riza Spahiu”.

Sa i përket regjistrimeve në klasat e para, në këtë shkollë këtë vit pritet të ulen në banka 59 nxënës, të sistemuar në dy klasa. Procesi i regjistrimeve vijon ende dhe deri më 7 shtator pritet të ketë regjistrime të tjera.

“Vijojnë regjistrimet. Regjistrimet do të vazhdojnë deri më datën shtatë. Janë 59 nxënës dhe do të formohen dy klasa të para. Jemi shumë të kënaqur dhe i falënderojmë të gjithë prindërit për besimin që na kanë dhënë, duke regjistruar fëmijët e tyre në klasat e para”, tha ajo.

Me afrimin e 14 shtatorit, shkollat po përmbyllin përgatitjet e fundit, me synimin që viti i ri shkollor të nisë në kushte sa më të përshtatshme për nxënësit dhe mësuesit.

Gazetare: Sh. Elezaj

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme