Akomodimi i studentëve, konvikti i Universitetit “Fan S. Noli” gati për t’i mirëpritur
Konvikti i Universitetit Fanoli në Korçë është gati të mirëpresë studentët për vitin e ri akademik. Pas punimeve të mirëmbajtjes dhe ndërhyrjeve të kryera në ambientet e brendshme dhe të jashtme, godina ofron kushte të përshtatshme dhe komode për akomodimin e studentëve.
“Studentët kanë mundësi të akomodohen sipas dëshirës së tyre, në dhoma teke në qoftë se ata dëshirojnë ose në dhoma dyshe. Tarifat e reja, le të themi, të vitit akademik kanë patur vetëm një ndryshim fare të vogël. Dhoma teke është 7500 ALL të reja në muaj, kurse dhoma dyshe është 5500. Përveç pjesës së kushteve shumë të mira akomoduese, tarifat shumë të ulëta në krahasim me pjesën e qirave që janë pjesa e shtëpive private, në qoftë se ata zgjedhin këtë lloj”, tha Ediola Osmani, përfaqësuese e SH. A Trajtimi i Studentëve.
Një tjetër veçori e godinës janë ambientet e përshtatura dhe të dedikuara për studentët me aftësi ndryshe, duke garantuar kushte më të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse për akomodimin e tyre.
“Përfshihet në tarifën e akomodimit pjesa e studimit në bibliotekë. Dhomat janë të pajisura me ngrohje, me internet falas. Ajo çka na dallon është kushtet që ne i ofrojmë edhe studentëve që mundet të kenë aftësi të kufizuara. Kemi të pajisura dy dhoma posaçërisht për t’ju përshtatur kushteve dhe nevojave të tyre”, tha ajo.
Së shpejti pritet të nisë dhe procesi i regjistrimeve për akomodim. Ndërsa studentët do të informohen në kohë për procedurat dhe afatet. Konvikti ka një kapacitet prej më shumë se 140 shtretërish dhe pas rikonstruksionit të kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ofron kushte optimale për qëndrimin e studentëve.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




