FMN rikthehet në Shqipëri, në fokus menaxhimi i investimeve publike
Përmirësimi i mënyrës se si Shqipëria planifikon, financon dhe zbaton investimet publike është në fokus të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka nisur punën në vend.
Ky instrument në kuadër të Fondit Monetar Ndërkombëtar analizon të gjithë ciklin e projekteve, nga planifikimi dhe përzgjedhja deri te zbatimi dhe monitorimi.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ekspertët e FMN-së po zhvillojnë takime me drejtues të Ministrisë së Financave, ku pritet të shqyrtohen procedurat dhe praktikat aktuale të menaxhimit të investimeve.
Sipas autoriteteve shqiptare, vitet e fundit janë ndërmarrë një sërë reformash për forcimin e këtij procesi, përmes disiplinës fiskale, krijimit të Listës Unike të Projekteve dhe përafrimit të kuadrit ligjor me kërkesat e integrimit në Bashkimin Evropian.
Qeveria vlerëson se problematika si faturat e pashlyera dhe projektet e nisura pa financim të plotë i përkasin së kaluarës.
Me mbështetjen e ekspertizës së FMN-së, synohet përmirësimi i mëtejshëm i eficiencës dhe transparencës së investimeve publike.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




