Dy shpërthime në pak minuta në Durrës gjatë natës, u hidhet lëndë plasëse një lokali dhe një servisi

Aktualitet | 2 muaj më parë

Dy episode të ndara me shpërthim me lëndë plasëse janë regjistruar gjatë natës në Durrës. Ngjarjet kanë ndodhur në lagjen nr. 11 të qytetit dhe në zonën e Shkallnurit, përgjatë aksit rrugor Plepa–Ndroq.

Shpërthimi i parë ka ndodhur rreth orës 03:50, në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen nr. 11 të qytetit. Lokali është në pronësi të 41-vjeçarit Gëzim Kajno, i cili më herët është dënuar me 10 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Emri i Kajnos është i lidhur edhe me një ngjarje të rëndë të vitit 2016, kur 29-vjeçari Asllan Kërtusha u vra pas një konflikti në lokalin e Gezim Kajnos. Kërtusha tentoi të largohej me taksi, por u nxor me forcë nga automjeti nga Gëzim Kajno dhe xhaxhai i tij, Bledar Kajno. Ky i fundit e qëlloi me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Rreth 40 minuta më vonë, një tjetër shpërthim është regjistruar në zonën e Shkallnurit, në derën e një servisi automjetesh. Servisi, pranë vilës Xhepaxhia, është në pronësi të shtetasit Bujar Xhepaxhia. Nga shpërthimi nuk ka pasur persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Përveç ndërtesës së servisit, dëmtime ka pësuar edhe banesa ngjitur me të.

Sipas të dhënave paraprake, ky nuk është rasti i parë që në këtë objekt vendoset lëndë plasëse. Rreth tre vite më parë, në të njëjtin vend ishte regjistruar një tjetër shpërthim, por me dëme më të vogla materiale.

Në të dyja ngjarjet, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Durrësit dhe specialistët e Njësisë Antieksploziv. Ekspertët kanë nisur hetimet për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse, mënyrën e vendosjes së saj dhe autorët e mundshëm të këtyre dy ngjarjeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme