Ministri Salla prezanton LIS në Roskovec: Informacion falas për tokën, përdorim më efikas të inputeve bujqësore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi në Roskovec aplikacionin e ri LIS, Sistemi i Informacionit të Tokës, i cili u mundëson fermerëve të aksesojnë drejtpërdrejt nga telefoni dhe pa pagesë informacion mbi karakteristikat dhe nevojat e tokës së tyre.
Gjatë vizitës në Roskovec, në plantacionin me 7 dynym shegë të fermerit Agron Gega, Ministri Salla tregoi konkretisht mënyrën se si fermerët mund ta përdorin sistemin për të marrë informacionin e nevojshëm për tokën, kultivimin dhe përdorimin më efikas të plehrave dhe inputeve bujqësore.
“Sot, falë aplikacionit dhe sistemit që kemi ndërtuar, kemi digjitalizuar dhe hedhur në sistem të dhënat e tokës bujqësore, në mënyrë që fermerët t’i aksesojnë dhe ta marrin të gjithë informacionin përmes telefonit”, u shpreh Salla.
LIS synon të ndihmojë fermerët të shmangin shpenzimet e panevojshme dhe të ulin kostot e prodhimit, duke përdorur në mënyrë më efikase inputet bujqësore, si dhe të krijojë kushtet për përmirësimin e rendimentit dhe cilësisë së prodhimit.
Ministri Salla u bëri thirrje fermerëve të përdorin sistemin përmes QTTB-ve, duke e cilësuar atë një instrument praktik që e sjell informacionin për tokën bujqësore drejtpërdrejt në duart e fermerit.
“I bëj thirrje të gjithë fermerëve të kenë akses në Sistemin e Informacionit të Tokës, nëpërmjet QTTB-së, për të pasur informacionin e duhur për tokën bujqësore dhe analizat e saj”, përfundoi Salla.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.










