Zjarri në kodrat e Radostinës, flet shefi i Mbrojtjes Civile, Ymeraj: Nuk ka banesa të dëmtuara, po operohet nga toka dhe ajri

Aktualitet | 2 muaj më parë

Zjarri i përmasave të mëdha që ka përfshirë kodrat e Radostinës në Bashkinë e Fierit ka nisur fillimisht në fshatrat Drizë dhe Fadis, duke u përhapur me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë malor.

Shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj, bëri me dije se vatrat e zjarrit kanë përparuar drejt zonës së liqenit dhe masivit pyjor të mbrojtur të Peshtanit. Lidhur me dinamikën e ngjarjes dhe ndërhyrjen e forcave operativë, Ymeraj deklaroi se “menjëherë me marrjen e njoftimit janë angazhuar strukturat vendore të bashkisë me 4 mjete zjarrfikëse për vënien nën kontroll të zjarreve”, ndërsa për shkak të përmasave të situatës janë angazhuar edhe kapacitete mbështetëse nga bashkitë fqinje.

Në zonën e prekur nga flakët ndodhen si njësi ekonomike, ashtu edhe zona të banuara. Autoritetet kanë ndërmarrë masa parandaluese për sigurinë e qytetarëve, ku sipas zyrtarit të Mbrojtjes Civile, “kemi bërë edhe evakuimin e disa familjeve, mund të jenë diku te 7-8 familje që janë evakuuar”.

Sa i përket dëmeve materiale, Ymeraj sqaroi se “aktualisht nga të dhënat paraprake nuk kemi banesa të dëmtuara, por kemi vetëm prezencë të zjarreve në oborret e banesave. Falë ndërhyrjes në kohë është bërë e mundur deri tani që të mos kemi djegie të banesave”.

Operacioni i shuarjes po vijon me intensitet nga toka dhe ajri, ku po marrin pjesë edhe dy helikopterë. Ndërsa iu përgjigj shqetësimeve të banorëve për kohën e reagimit, shefi i Mbrojtjes Civile theksoi se “ndërhyrja nga ajri nuk është e vonuar. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që kur vatra e zjarrit ka qenë në zona të tjera. Për shkak të frikës që kanë qytetarët, mund ta konsiderojnë si ndërhyrje të vonuar”, duke siguruar se të gjitha forcat do të vijojnë punën deri në izolimin e plotë të vatrës.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme