Gushti rekord vizitorësh në zonat e mbrojtura, 360 mije turistë në zonat turistike dhe natyrore të qarkut Shkodër
Muaji gusht ka shënuar fluksin më të lartë të vizitorëve në zonat e mbrojtura të qarkut të Shkodrës. Sipas të dhënave të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, rreth 360 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë frekuentuar gjatë muajit të kaluar zonat turistike dhe natyrore të qarkut.
Numri më i lartë i vizitorëve është regjistruar në Parkun Kombëtar të Alpeve, me qendër në Theth, me mbi 140 mijë turistë.
Në vend të dytë renditet bregdeti i Velipojës, me mbi 120 mijë pushues, ndërsa në listën e zonave më të frekuentuara janë edhe Liqeni i Shkodrës dhe Lumi i Shalës.
“Kemi pasur një rritje, krahasuar me vitin e kaluar, prej mbi 10-15% të numrit të vizitorëve. E veçanta, në krahasim me vitin e kaluar, është shtimi i numrit të vizitorëve të huaj, të cilët kanë eksploruar natyrën shqiptare, kryesisht shtigjet natyrore, si shtegu Valbonë-Theth dhe Vuthaj, por edhe monumentet e natyrës, si Ujëvara e Grunasit dhe Syri i Kaltër”, tha Agim Dardha, drejtues i AdZM Shkodër.
Krahas numrit të lartë të vizitorëve, ky sezon turistik është shoqëruar edhe me një prani më të madhe të guidave dhe shoqëruesve turistikë, veçanërisht në zonat malore.
Edhe gjatë muajit shtator pritet që fluksi i vizitorëve të vijojë, ndërsa parashikimet për një mot të favorshëm pritet të mbajnë të lartë interesin për destinacionet turistike, veçanërisht në zonat alpine të qarkut të Shkodrës
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



