Superjahti luksoz mbërrin në Portin e Durrësit, në pronësi të pronarit të Manchester City
Një prej superjahteve më të mëdha dhe më luksoze në botë ka mbërritur në Portin e Durrësit.
Bëhet fjalë për A+, i njohur më parë si Topaz, superjahti në pronësi të Sheikh Mansour bin Zayed Al Nahyan, anëtar i familjes mbretërore të Abu Dhabit dhe pronar i klubit anglez të futbollit, Manchester City.
I ndërtuar në vitin 2012 nga kantieri gjerman Lürssen, A+ ka një gjatësi prej 147.25 metrash dhe një tonazh bruto prej rreth 12 mijë e 500 GT.
Në vitin 2019, jahti u riemërtua A+, ndërsa vlera e tij, së bashku me anijen mbështetëse që e shoqëron, është vlerësuar në rreth 450 milionë dollarë.
Këtë herë, vizita në Durrës pritet të shoqërohet edhe me një furnizim të konsiderueshëm me karburant.
A+ dhe anija mbështetëse M2, e gjatë 130.2 metra dhe që lundron nën flamurin e Ishujve Kajman, pritet të furnizohen me rreth 700 mijë litra naftë në Portin e Durrësit.
Sipas përllogaritjeve, ky furnizim pritet të sjellë në buxhetin e shtetit rreth 280 mijë euro, përmes taksës së luksit prej 0.4 euro për litër.
Të dhënat e Kapitenerisë tregojnë gjithashtu rëndësinë që kanë furnizimet e jahteve luksoze për të ardhurat publike.
Vetëm gjatë vitit 2025, furnizimi me naftë i jahteve në portet shqiptare i solli buxhetit të shtetit mbi 12 milionë euro nga kjo taksë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



