Nisja e sesionit të ri parlamentar dhe komunikimi me qytetarët, Rama mbledh kabinetin dhe drejtuesit politikë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur gjatë mesditës së sotme, 9 shtator, drejtuesit politikë dhe ministrat te “Vila e Kuqe” në Tiranë, në një takim ku pritet të diskutohen prioritetet e Partisë Socialiste për nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Në fokus të takimit pritet të jetë jo vetëm aksioni i ri politik i mazhorancës, por edhe porositë e lëna më herët nga Rama për forcimin e komunikimit me qytetarët dhe për një angazhim më të drejtpërdrejtë në dëgjimin dhe adresimin e problematikave të tyre përmes “Pranisë Besnike”.
Takimi vjen pak ditë pas mbledhjes që kryeministri zhvilloi me grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Gjatë asaj mbledhjeje, Rama u ndal te projektet e reja të komunikimit të qeverisë dhe të partisë, duke përmendur nismat “Prania Besnike”, “BESA”, “Pasqyra Albania” dhe “Shkalla e Meritës”.
Sipas Ramës, këto iniciativa duhet të shihen si pjesë e një reforme më të gjerë në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit.
Në këtë kuadër, ka nisur edhe nisma “Prania Besnike”, e cila zhvillohet çdo të premte, në orën 17:00, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend, në çdo njësi administrative të vendit. Synimi është forcimi i kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe identifikimi i problematikave në terren.
Nisja e sesionit të ri parlamentar erdhi me ndryshime në qeveri, ku Klodiana Spahiu është emëruar ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas dorëheqjes së Evis Salës.
Krahas ndryshimeve në ekzekutiv, një nga çështjet që pritet të shkaktojë debat në Kuvend është edhe reforma territoriale. Partia Socialiste kërkon reduktimin e numrit të bashkive, ndërsa opozita kërkon shtimin e tyre. Propozimi për riorganizimin territorial ka shkaktuar protesta edhe në disa prej bashkive që rrezikojnë të preken nga reforma dhe të bashkohen me njësi të tjera vendore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




