Bllokimi i pagave, administratat gjyqësore bojkot në gjykatat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjës
Ngërçi i krijuar me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e punës në disa gjykata të vendit. Që prej mëngjesit të sotëm, administrata dhe sekretariati gjyqësor kanë ndërprerë shërbimet për qytetarët, ndërsa do të zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent dhe ato për masat e sigurimit.
Në Gjykatën e Fierit, administrata dhe sekretariati gjyqësor kanë bojkotuar punën që prej mëngjesit të sotëm. Punonjësit kërkojnë të dinë se kur do të marrin pagën e muajit gusht, ndërsa kërkojnë gjithashtu sqarime për formulën me të cilën do të përllogariten pagat pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë, bojkot është zhvilluar edhe në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë. Rreth 35 punonjës të administratës kanë ndërprerë punën për rreth dy orë.
Bojkoti në Lushnjë zgjati rreth dy orë, por punonjësit paralajmërojnë se protesta mund të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin që pagat të kalojnë.
Po ashtu, edhe gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i është bashkuar bojkotit, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm masat e sigurisë. Ndërkohë, veprimtaria gjyqësore vijon normalisht në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, Shkodër e Kukës.
Problematika me pagat ka prekur jo vetëm administratën gjyqësore, por edhe gjyqtarët dhe prokurorët. Një ditë më parë, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një takim me drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Shoqatës së Prokurorëve, ku u kërkua një zgjidhje e shpejtë dhe në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.
Pas përfundimit të këtij afati, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë argumentuan se duhej të zbatohej vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Dy institucionet përcaktuan pagën referuese, por Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar listëpagesat e përllogaritura me rritje, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Ministria ka kërkuar që listëpagesat të ridërgohen sipas metodologjisë së mëparshme.
Për pasojë, pagat e muajit gusht mbeten të bllokuara për gjyqtarët, prokurorët, si dhe për punonjësit e administratës së gjykatave dhe prokurorive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




