Sulm me dron rus në kufirin Ukrainë-Moldavi, dy të vrarë dhe tre të plagosur

Një pikë kontrolli ukrainase në kufirin me Moldavinë është shënjestruar nga një sulm me dron rus në orët e para të së mërkurës, 9 shtator. Si pasojë e sulmit, dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur.
Sipas një deklarate të rojes kufitare ukrainase, të publikuar në Telegram, objektivi i sulmit ishte pika ndërkombëtare e kontrollit në Starokozatse.
Guvernatori i Odesës, Oleh Kiper, konfirmoi bilancin paraprak të viktimave, duke bërë me dije se dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën.
“Gjatë natës, dronët armikë sulmuan një pikë kontrolli ndërkombëtare në Starokozatse, në kufirin me Moldavinë”, deklaroi Kiper përmes Telegramit.
Sulmi shkaktoi dëme edhe në objektet e pikës kufitare, duke çuar në pezullimin e përkohshëm të operacioneve.
Autoritetet ukrainase njoftuan gjithashtu se kanë informuar autoritetet përkatëse moldave për incidentin.
Pika e kontrollit Starokozatse ndodhet në pjesën juglindore të kufirit Ukrainë-Moldavi, rreth 70 kilometra nga Odesa dhe rreth 130 kilometra nga kryeqyteti i Moldavisë, Kishinau.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




