Mbyllet raundi i parë i regjistrimeve në universitete, Xhelaj: Plotësohen 75% e kuotave

Arsim | 2 muaj më parë

Raundi i parë i regjistrimeve në universitet është mbyllur dhe deri më tani rezultojnë të regjistruar 16.000 studentë. Programet e shëndetit publik, arkitektura, si dhe degët inxhinierike dhe teknologjia e informacionit kryesojnë listën e programeve më të kërkuara nga maturantët.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, sqaron se në fund të këtij raundi të parë regjistrimesh janë ezauruar 75% e kuotave.

“Kemi pasur shumë programe të cilat u ezauruan gjatë raundit të parë. Pra, mund të përmendim këtu Universitetin e Mjekësisë, ku Fakulteti i Mjekësisë e ka ezauruar tre programet kryesore, Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji dhe Farmaci. Ka programe të tjera gjithashtu në Universitetin Politeknik, Fakulteti i Arkitekturës, që është shumë i kërkuar me degën e programeve të Arkitekturës dhe Urbanistikës, që ka zënë në masën 100%”, tha Xhelaj.

Pjesa tjetër e kuotave pritet të plotësohen gjatë raundit të dytë dhe gjithashtu të ketë një rritje të kërkesës edhe për programet 2-vjeçare.

“Kemi rreth 5.000 maturantë të cilët e kanë mundësinë, me përfundimin e raundit të parë, duke qenë se ata nuk janë regjistruar në asnjë degë, që automatikisht kalojnë në raundin e dytë pa pasur nevojë që të bëjnë asnjë proces tjetër dhe, në datat 15 deri në 17 shtator, të rimbushin formularin A2 me 10 preferenca për ato programe studimi të cilat kanë akoma kuota të lira”, tha ai.

Ndërsa kërkesat për t’u regjistruar në universitetet private vijojnë në të njëjtat shifra të një viti më parë.

“Ka kërkesa të caktuara. Lëvizim gjithmonë në trendin 70-30, plus-minus. Diçka mbi 30% në qenë private”, tha ai.

Procesi i regjistrimit do të zhvillohet edhe nëpërmjet 2 raundeve të tjera dhe pritet që gjithçka të përmbyllet në 10-ditëshin e dytë të muajit tetor.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme