Po shkonte drejt Norvegjisë, droni kalon pranë avionit ku po udhëtonte Presidenti Zelensky

Një dron i dyshuar rus i tipit Shahed për pak sa nuk është përplasur me avionin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, teksa ai po largohej nga Moldavia më 8 shtator. Sikurse raporton Kyiv Independent, Zelensky po udhëtonte drejt Norvegjisë për një takim me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Store. Avioni presidencial sapo ishte nisur nga Moldavia kur një dron i dyshuar rus hyri në hapësirën ajrore të vendit dhe më pas kaloi drejt Rumanisë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Moldavisë, droni u zbulua rreth orës 16:20 dhe u monitorua nga forcat moldave deri në orën 16:37, kur kaloi në hapësirën ajrore rumune.
Incidenti shkaktoi alarm në autoritetet e sigurisë, ndërsa hapësira ajrore u mbyll përkohësisht dhe avionë luftarakë të NATO-s u ngritën në ajër për të monitoruar situatën. Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store konfirmoi se avioni i Zelenskyt ishte shumë pranë dronit.
“Aeroplani i tij pothuajse u godit nga një dron ndërsa po ngrihej nga Moldavia. Ky është realiteti me të cilin përballet ai”, deklaroi Store për NRK.
Autoritetet moldave nuk kanë dhënë detaje mbi itinerarin e avionit presidencial dhe nuk kanë deklaruar se droni kishte si objektiv Zelenskyn. Megjithatë, fakti që inkursioni ndodhi në të njëjtën kohë kur avioni i presidentit ukrainas po ngrihej nga Moldavia ka ngritur pikëpyetje të forta mbi rrezikun që ai përbënte për fluturimin presidencial.
Rumania dhe Moldavia janë përballur në muajt e fundit me disa raste të shkeljes së hapësirës së tyre ajrore nga dronë dhe raketa të lidhura me sulmet ruse ndaj Ukrainës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




