Berisha nderohet me Çelësin e Qytetit të Mesquite, Teksas: Kontribut për forcimin e marrdhënieve Shqipëri-SHBA

Politikë | 2 muaj më parë

Kreu i PD-së është nderuar me Çelësin e Qytetit të Mesquite, në Teksas, gjatë një ceremonie të zhvilluar në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar dhe autoriteteve lokale. Çelësi iu dorëzua liderit demokrat Sali Berisha nga kryebashkiaku i Mesquite, Daniel Aleman Jr., i cili e cilësoi këtë vlerësim si një nga nderimet më të larta që bashkia mund t’i akordojë një personi.

Gjatë ceremonisë, Aleman theksoi se Çelësi i Qytetit përfaqëson respektin dhe besimin e komunitetit, si dhe marrëdhëniet e veçanta të krijuara mes qytetit të Mesquite dhe komunitetit shqiptar. Nderimi për Berishën vjen si vlerësim për kontributin e tij në drejtimin politik të Shqipërisë, si dhe për angazhimin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia në Mesquite merr një rëndësi të veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Teksas, duke u shndërruar në një simbol të lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe të rolit të diasporës në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Mesquite ndodhet në periferi të Dallasit dhe, sipas Censusit të vitit 2020, ka rreth 150 mijë banorë. Qyteti njihet zyrtarisht si “Kryeqyteti i Rodeos në Teksas”, ndërsa është vlerësuar edhe për hapësirat e tij rekreative dhe zonat e gjelbra.

Mesquite ka gjithashtu aeroportin e tij dhe përbën një qendër të rëndësishme ekonomike të zonës, ku operojnë kompani dhe institucione të njohura, mes tyre UPS, AT&T, FedEx, Ashley Furniture, Charter Spectrum dhe Eastfield College.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme