“Fond Kombëtar për Strehimin”/ Ibrahimaj: 7 mijë apartamente në dispozicion, kredi të buta edhe për familjet e reja

Ekonomi | 2 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj njoftoi hapjen e një Fondi Kombëtar për Strehimin, e cili synon të ofrojë mbështetje jo vetëm për shtresat në nevojë, por edhe për profesionistët, të rinjtë dhe familjet e reja.

Pas mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj deklaroi se në kuadër të programit të ri do të jenë në dispozicion 7 mijë apartamente, ndërsa një pjesë e tyre do të përfitohet përmes kredive të buta.

“Para disa javësh shpallëm 300 kredi të buta. Dje prezantuam reformën e re, do t’i dedikohet edhe atyre që janë familje të reja. Do jenë 7 mijë apartamente që do vihen në dispozicion. 2 mijë kredi do jenë pa interes, për apartamente deri në 60 mijë euro. Normat e interesit, me 0 dhe 3 përqind, do të mbulohen nga një fond, do përmbledhë 3 përqindëshin e bashkisë, do përmbledhë buxhetin e shtetit, por edhe mekanizmat e tjerë të kredive”. deklaroi Ibrahimaj.

Reforma synon gjithashtu të krijojë një politikë të re strehimi për familjet e reja, përfshirë ato me një ose më shumë fëmijë.

Gjithashtu, Ibrahimaj shtoi se do të ketë subvencionim qiraje për 3 mijë apartamente. ndërsa bëri të ditur gjithashtu se do të nisë ndërtimi i disa blloqeve të reja banesash, me një ndarje të përcaktuar sipas kategorive.

“Do vëmë subvencionim qiraje për 3 mijë apartamente. Do fillojmë ndërtimin e disa blloqeve ndërtesash, 30 për qind do t’i dedikohen shtresave në nevojë, 40 për qind strehimit të përballueshëm, 30 për qind do t’i dedikohet shitjes në treg të lirë. E kemi parashikuar edhe një program që i dedikohet të moshuarve”, tha ministrja.

Paketa ligjore do të miratohet në fillim të tetorit, thirrjet do të hapen gjatë vitit aktual. Duke qenë se ka një proces administrativ, fituesit do të shpallen në fillim të vitit 2027.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme